Ndarje e re administrativo-territoriale, reflektohet shpopullimi, fuqizohen njësitë
Harta e Shqipërisë pritet të ndryshojë, me ndarje të reja rajonale dhe një reduktim të mundshëm të numrit të bashkive.
Rishikimi i hartës së Shqipërisë
Harta e Shqipërisë pritet të ndryshojë, me ndarje të reja rajonale dhe një reduktim të mundshëm të numrit të bashkive. Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e rishikimit të reformës administrativo-territoriale, bazuar në të dhënat e Censit 2023.
Sipas të dhënave të fundit, në 12 vitet e fundit popullsia shqiptare është tkurrur me rreth 400 mijë banorë, duke e ulur totalin aktual në rreth 2.4 milionë banorë.
Reforma e vitit 2014
Reforma administrative e vitit 2014 u ndërmor për të adresuar ndryshimet demografike, sociale dhe ekonomike të evidentuara nga Censi 2011.
-Numri i njësive të vetëqeverisjes vendore u ul nga 373 në 61 bashki.
-Qëllimi ishte që njësitë e reja të menaxhonin territore më të mëdha dhe të kishin një popullsi më të madhe, për të rritur kapacitetin administrativ dhe për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave.
-Objektiv i reformës ishte gjithashtu ulja e kostove dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve.
Sfida aktuale: Shpopullimi dhe bashkitë e dobëta
Një dekadë pas reformës, fenomeni i emigracionit ka shkaktuar tkurrje të ndjeshme të popullsisë në disa bashki.
-Sipas censit 2023, 14 nga 61 bashki kanë më pak se 10 mijë banorë.
-Pesë bashki kanë më pak se 5 mijë banorë: Libohova, Këlcyra, Pusteci, Konsipoli, Fushë-Arrësi.
Të dhënat e pushtetit vendor tregojnë se këto bashki janë dobëta ekonomikisht, me të ardhura të pamjaftueshme për të ofruar shërbime dhe investime të mjaftueshme.
Financat e pushtetit vendor
-Të ardhurat e bashkive janë rritur, por jo në mënyrë proporcionale, duke u përqendruar kryesisht në bashkitë e mëdha dhe bregdetare.
-Shpenzimet janë rritur, kryesisht për pagat e personelit dhe operacionet, ndërsa investimet mbeten të ulëta, mesatarisht 20%.
Nevoja për reformë të re
-Reforma e ardhshme synon administrim më të mirë të territorit, bashki financiarisht të qëndrueshme dhe shërbime më të mira për qytetarët.
-Do të ngrihet një komision parlamentar i posaçëm për të analizuar ndryshimet demografike, sociale dhe teknologjike.
-Reforma do të zhvillohet me konsultim publik të gjerë, ku do të marrin pjesë të gjitha palët. /Scantv